Anësori i ekipit kombëtar të Kosovës, Milot Rashica, është ankuar për kushtet e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, pas barazimit me Bullgarinë.

Mbrëmë, Kosova barazoi me rezultat 1:1 në ndeshjen kundër Bullgarisë, e cila u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kjo ishte ndeshja e parë për Kosovën në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020.

Fillimisht, bullgarët kaluan në epërsi në minutën e 39-të të ndeshjes, përmes golit të shënuar nga Vasil Bozhikov. Mirëpo, në minutën e 61-të, Arbër Zeneli e barazoi rezultatin me një supergol.

“Dardanët” kishin shumë raste për ta shënuar golin e fitores në këtë ndeshje, mirëpo djelmoshat e Bernard Challandes nuk e arritën këtë qëllim.

Ylli i Werder Bremenit, Milot Rashica, i pati katër raste të mira gjatë ndeshjes, mirëpo nuk arriti t’i konkretizojë asnjërën nga to.

Në disa raste të mira, futbollistët e Kosovës nuk i arrinin topat e pasuar nga bashkëlojtarët e tyre për shkak të rrëshqisnin në fushë e nganjëherë nuk arrinin të godisnin saktësisht. Tani, Rashica ka treguar pse ndodhte një gjë e tillë.

Me këto këpucë kam luajtur qe 10 ndeshje në Bundesligë, fusha ishte pak e lagtë, bari ka qenë pak i madh, por prapë kjo nuk është arsye pse nuk e kemi fituar lojën” ka thënë Rashica në një intervistë për Supersport, pas ndeshjes së mbrëmshme.

“I kam thumbat e këpucëve thuajse sikur të mbrojtësve dhe nuk ka më të mëdhenj, megjithatë edhe bari ishte pakëz i madh”.

Kosova tani radhitet në pozitën e tretë në tabelën e Grupit A për kualifikim në Kampionatin Evropian, megjithatë me një ndeshje më pak të zhvilluar se Anglia e Bullgaria që radhiten para Kosovës. /Gazeta Express/