Presidenti Hashim Thaçi, i cili fillimisht kishte kundërshtuar ashpër taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, tashmë i është vërsulur diplomatëve ndërkombëtarë me arsyetimin se po lobojnë tek institucionet e Kosovës që ta largojnë taksën në këmbim të heqjes së vizave.

Por përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se nuk duhet negociuar taksa për liberalizimin, pasi ky pazar ia humb kuptimin taksës, e cila i është vënë Serbisë dhe jo BE-së

Ndonëse para pak muajsh kërkonte heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kohët e fundit ka ndërruar qëndrim prej 360 shkallësh, duke u barrikaduar tërësisht “pro” vendimit të Qeverisë për vendosjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe.

Madje, kreu i shtetit tashmë ka nisur të hedhë edhe dyshime se diplomatët ndërkombëtarë janë duke lobuar tek institucionet e Kosovës që ta largojnë taksën në këmbim të liberalizimit të vizave.

Kjo, sipas Thaçit, është e papranueshme, shkruan më tutje “Zëri”.

Mirëpo përfaqësuesit e partisë që drejton kryeministri Ramush Haradinaj, AAK-së, thonë se për çështjen e taksës dhe të vizave vlejnë vetëm ato që tashmë i ka deklaruar i pari i Qeverisë.