Gjendra tiroide është gjendra më e madhe e sistemit endokrin pavarësisht se ajo peshon 15-20 gr tek një individ i rritur, rëndësia e kësaj gjendre është e jashtëzakonshme.

Gjendra tiroide është përgjegjëse për zhvillimin mendor dhe fizik si gjatë periudhës embrionale, ashtu dhe në etapa të tjera të jetës.

Nëse njeriu lind pa gjendrën e tiroides është 100 për qind e sigurtë që do të ketë prapambetje të rëndë mendore ose siç quhet ndryshe “kretinizëm”.

Po ashtu ecuria e zhvillimit fizik thuajse nuk vazhdon në kushte normale dhe jo rrallëherë është e papajtueshme me jetën.

Gjendra tiroide është si një minifabrikë e cila përpunon jod, ku jodi merret kryesisht nëpërmjet ushqimeve, ujit etj, dhe pasi futet në organizëm thithet nga gjendra tiroide, e cila e përpunon jodin dhe më vonë prodhon hormone me bazë Jodi.

Dy janë hormonet kryesore me bazë jodi që prodhon tiroidja të cilat njihen si T4 dhe T3.

Për të kryer procesin e përpunimit të jodit dhe prodhimin e këtyre hormoneve është e domosdoshme që gjendra tiroide të stimulohet nga një gjendër tjetër që quhet hipofize, e cila prodhon hormonin stimulus të tiroides TSH.

Dozat e këtyre hormoneve janë me peshë shumë të vogël molekulare, por siç e thashë ato kanë peshë shumë të madhe në organizëm.

Më poshtë do gjeni disa nga shenjat të cilat po ju lajmërojnë se ju keni problem me gjendrën tiroide dhe duhet të kryeni një kontroll sa më parë.

1.Pesha juaj ndryshon drastikisht.

Është normale që të kesh ndryshime të vogla në peshë por nëse përjetoni një shtim apo humbje të madhe të kilogramëve duhet të vizitoni patjetër doktorin.

Dhe ndryshimet e mëdha në metabolizëm vijnë si pasojë e efekteve që ka hormone i tiroides në trup.

2.Humbja e flokëve. Nuk bëhet fjalë për ato fijet e flokëve që mund t’ju humbasin gjatë një dushi.

“Alopecia areata” një gjendje e cila ju bën të humbisni shumë flokë shkaktohet nga problemet e tiroides.

Madje ndryshimet në hormonet e kësaj gjendre mund të dëmtojnë dhe folikujt e flokëve.

3.Shkoni më shpesh në tualet.

Mund të mendoni që “udhëtimet” e shpeshta duke vrapuar drejt tualetit vijnë si pasojë e helmimit nga një ushqim por ekziston mundësia dhe që aftesia tretëse e trupit tuaj mund të jetë ndikuar nga problemet që shkakton mosfunksionimi normal i hormoneve të tiroides.

4.Keni tension shumë të lartë ose shumë të ulët.

Hormonet e tiroides mund të “luajnë” dhe me tensionin.

Vlerat e këtyre hormoneve mbi normalen mund të sjellin tension shumë të lartë dhe më pak hormone mund të ndikojnë në tensionin shumë të ulët.

5.Ndiheni shumë të lodhur.

Të gjithë mund të lodhemi, por kur një tiroide që funksionon keq prodhon shumë pak hormone dhe mund të ndiheni gjithë kohën sikur keni nevojë për të fjetur gjumë dhe nuk keni aspak energji.

6.Mund të keni probleme me kockat.

E ndërkohë që shumica prej nesh humbjen e kockave e përjetojnë me kalimin e moshës, një tiroide hiperaktive mund ta përshpejtojë këtë proçes.

Hormonet e shtuara të kësaj gjendre mund ta çojnë trupin në një gjendje katabolike dhe kjo do të çojë në dobësimin e kockave, duke rritur rrezikun dhe për otesoporozën.