Deputeti Haxhi Avdyli nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se viti 2018 ka qenë vit i dështuar në shëndetësi dhe pa ndonjë reformë substanciale.

Avdyli në një konferencë për media tha se problemet në sektorin e shëndetësisë janë të shumta dhe shpeshherë po kalojnë në heshtje.

“Viti 2018 vit i dështuar në shëndetësi, pa ndonjë refomrë substanciale. Ka qenë e paraparë të vijë në kuvend Ligj për shëndetësinë dhe Ligji për sigurime shëndetësore po ende nuk ka ardhur”, tha ai, raporton telegrafi.

Deputeti nga radhët e LDK-së tha se për vitin 2019 është paraparë të shkojë në Kuvend vetëm Ligji për shëndetësi, por jo edhe ai për sigurime shëndetësore.

“Kjo ministri është joserioze në qasjen që ka për shëndetësinë”, u shpreh Avdyli. Ai shtoi se ministri i Shëndetësisë nuk ka ‘haber’ se çka janë sigurimet shëndetësore.

Sipas tij, nuk pritet që qytetarët e Kosovës të kenë sigurime shëndetësore edhe shumë vite nëse vazhdon kjo amulli nga njerëzit jokompetent.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Naser Rugova tha se manipulimet e opinionit nga siç tha ai ky ministër i Facebook-ut dhe projektet e nisura më herët t’i adresojë vetes janë si pasojë e mungesës së vizonit të tij dhe të vartësve të tij.

“Le t’i lej selfiet dhe Facebook-un, e le t’i kthehet punës…”, u shpreh Rugova.