Njëri nga prodhuesit më të njohur të veturave, kompania “Ford Motor Co”, ka njoftuar se do t’i tërheqë nga tregu rreth 1.5 milionë vetura të tipit F-150 në Amerikën Veriore për shkak të një problemi në ndërruesin e shpejtësive, i cili mund ta rrisë rrezikun për aksidente.

Kompania amerikane ka njoftuar se veturat e prodhuara nga viti 2011 deri në vitin 2013 dhe të cilat kanë ndërrues automatik të shpejtësive mund të pësojnë kalim të papritur në shpejtësinë e parë pa paralajmërim dhe ky problem mund të bëjë që vozitësit ta humbin kontrollin ndaj veturës gjatë vozitjes në shpejtësi të madhe.

Besohet se deri tash kanë ndodhur pesë aksidente për shkak të këtij problemi.

Vendimi për tërheqje do t’i përfshijë 1.26 milionë vetura në Shtetet e Bashkuara dhe 221 mijë vetura në Kanada.

Kompania ka njoftuar se do t’i tërheq nga tregu edhe 28 mijë vetura të tipit “Lincoln Continental” në Amerikën Veriore për shkak të problemit me mbyllje të dyerve, i cili është shkaktuar nga kontaminimi i silikonit.

Në mesin e veturave të tërhequra nga tregu do të jenë edhe 4200 vetura të tipit “Ford Mustang” për shkak të problemit me ekranin e instrumenteve.

Nuk janë raportuar aksidente lidhur me këto probleme, shkruan “Reuters”.