Arton Zekaj ka vendosur t’i bashkohet Kosovës U21 pasi më herët kishte përfaqësuar Serbinë U17, aty ku mbajti edhe shiritin e kapitenit.

Kjo ka irrituar tejmase serbët, që kanë mbetur totalisht të shokuar pas vendimit të talentit shqiptar, i cili edhe zyrtarisht ka vendosur ta vesh fanellën e ‘Dardanëve’.

Zekaj ka lindur dhe rritur në Beograd, dhe ka luajtur në moshat zinxhirore për Serbinë deri në moshën 17-vjeçare, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, anëtari i Lille vendosi të zgjidhte Kosovën pasi nuk pati shenja që do të ftohej nga ekipi U21 apo A i Serbisë.

Kjo ka shokuar mediat serbe, të cilat kanë shkruajtur për vendimin e tij, që siç pretendojnë ata, të pazakontë dhe të papritur.

“Futbollisti serb vendosi ta lë Serbinë. Ai e ka thënë fjalën e tij dhe e ka shokuar opinionin me vendimin për të luajtur për Kosovën”, shkruan në versionin e saj online e përditshmja serbe ‘Alo’.

Talenti shqiptar u shndërrua në objekt sulmi nga mediat e vendit fqinjë, duke e akuzuar rëndë pas vendimit të marrë.

Flitej se 19-vjeçari nuk iu lëshua leja nga Serbia, por meqë Kosova është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s nga viti 2016, ajo gëzon të gjitha të drejtat si të gjitha vendet e tjera të botës.