Qëllimi i bombardimeve të NATO-s ishte që në Kosovë të mos mbetej asnjë serb.

Kështu ka deklaruar drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Gjuriq nuk ka lënë pa përmendur dhe masakrën në Reçak.

Mirëpo një nga masakrat më të mëdha nga forcat serbe në Kosovë, për Gjuriq nuk kanë qenë krim.

‘Dikush tentoi të na i kidnapojë 10,887 kilometra katrorë të Serbisë duke tentuar të na aneksonte një pjesë të vendit. Jemi dëshmitarë se si muajve të fundit janë hequr kufijtë mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe nuk është lëshuar asnjë zë si reagim ndaj këtij veprimi”, ka thënë Gjuriq.

“Nëse fillojmë me Reçakun, kemi nga atje analiza që nuk ka pasur krime që mund të kenë çuar në një agresion të tillë.

Institucionet legale nuk e kanë konfirmuar kurrë dyshimin se në fshatin Reçak ndodhi diçka e tillë apo në ndonjë fshat tjetër të Kosovës’, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se si ‘motiv i dytë i NATO-s ka qenë edhe dobësimi gjeopolitik i Serbisë dhe popullit serb në Ballkan’.

‘Si dikush që ka qenë dëshmitar dhe e ka përjetuar se cilat kanë qenë pasojat e marsit 1999, mund të them se nuk kam asnjë dilemë se ky ishte një agresion ndaj një shteti të pavarur dhe që nuk kishte asnjë lloj arsyetimi për një intervenim të tillë”, ka thënë tutje ai./Indeksonline/