Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq tha se në vitin 2019 Serbia me siguri do të merret intensivisht me çështjen e Kosovës dhe “ndoshta në një format tjetër”.

Por, sipas tij askush nuk mund të thotë se çështja me Kosovën mund të zgjidhet vitin e ardhshëm.

“Askush nuk mund të thotë – do ta zgjidhim çështjen e Kosovës vitin e ardhshëm, të paktën asnjë nga politikanët seriozë në vendin tonë dhe në botë.

Sa i përket meje, do të doja të kisha një marrëveshje dhe një zgjidhje nesër, por kjo nuk është reale, shumë më shumë gjëra duhet të përfundojnë, “tha Daçiq në një intervistë për” Weekly” duke u përgjigjur në pyetjen nëse ai pret që çështja e Kosovës të zgjidhet në vitin e ardhshëm.

Daçiq vuri në dukje se ideja e demarkacionit të serbëve dhe shqiptarëve “është e vetmja në tryezë, por, sipas tij, duhet të shoqërohet nga një numër marrëveshjesh të tjera”.

“Ne nuk heqim dorë nga të drejtat për komunitetin serb në Kosovë, nga mbrojtja e trashëgimisë serbe, nga pasuria e madhe që ka Serbia në Kosovë dhe të gjithë e dinë mirë këtë”, tha Daçiq ndër të tjera.