Emërimi i Zinedine Zidane në pozitën e trajnerit të Real Madridit ka ndikuar edhe në Juventus, pasi që francezi kishte qenë favorit për t’u emëruar në pozitën e trajnerit të “Zonjës së Vjetër”, nëse Massimiliano Allegri largohet në fund të sezonit.

Vendimi i Zidane për t’u kthyer te “Los Blancos” ka bërë që edhe opsioni për ta mbajtur Allegrin edhe pas këtij sezoni të mbetet në tavolinën e drejtuesve të Juventusit, pasi që italiani ka kontratë deri në vitin 2020.

“Me Agnellin, jemi në harmoni të plotë.

Tani, le të luajmë dhe ta festojmë trofetë.

Pastaj, ne do të flasim për rinovim.

Nuk dua të largohem dhe ai nuk dëshiron të ndryshojë”, ka thënë Allegri.

Megjithatë, përveç Allegrit, opsione për pozitën e trajnerit të kampionit italian mbeten edhe Pep Guardiola dhe Antonio Conte.

Por, favorit për këtë pozitë tani mbetet trajneri i ekipit kombëtar të Francës, Didier Deschamps.

Deschamps ka kontratë me Francën deri më 21 korrik të vitit 2020.

Megjithatë, pasi ai e ka fituar titullin e Kupës së Botës, besohet se dëshiron ta sfidojë veten përsëri. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE