Fetnete Ramosaj ,studiuesja nga Instituti i Krimeve të Luftës, këtë rast e krahason me rastin “Panda” të vitit 1998.

Ekzekutimi i sotëm i Oliver Ivanoviqit para zyrës së partisë së tij në Veri të Mitrovicës, është një vrasje politike dhe e planifikuar nga agjenturat e Serbisë për destabilizim të vendit.

Ajo në një intervistë për Indeksonline thotë se në këtë vrasje mund të jenë të implikuara jo vetëm mekanizmat ekzekutiv të Serbisë, por edhe të Rusisë.

“Ekzekutimi i Oliver Ivanoviqit, është i njëjtë me ekzekutimin e 14 dhjetorit të vitit 1998, në kafenenë “Panda” në Pejë, kur njësiti elit i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, JSO (Jedinice sa Specijalne Operacije/Njësiti për Operacione Speciale) i udhëhequr nga Millorad Ulemek – Legija, i likuidoi gjashtë të rinjtë serbë dhe në anën tjetër i fajësoi shqiptarët, gjë që u detyruan ta pranojnë organet më të larta të Serbisë, madje edhe vet Aleksandër Vuçiq, 15 vjet më vonë. Dallimi është vetëm te fakti se në rastin “Panda” Serbia i viktimizoi të rinjtë serbë, që nuk kishin ndonjë precedent penal, ndërkaq në rastin e Oliver Ivanoviqit është ndryshe, sepse ishte person me të kaluar kriminale dhe dëshmitar shumë i rëndësishëm për zbardhjen e krimeve të të tjerëve, pra i dinte të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur për 15 vjet në pjesën veriore të Kosovës, dhe se kohëve të fundit ka treguar mosdëgjueshmëri, ka kërcënuar se do të flasë për gjërat që i di dhe si i tillë ka paraqitur rrezik për klasën politike në Beograd” ka thënë Ramosaj.

Ajo tutje ka shtuar se atentati i sotëm mund të përdoret nga Serbia për të arritur destabilizimin e gjendjes në Kosovë.

“Edhe para këtij rasti gjendja e sigurisë në Mitrovicë ka qenë e paqëndrueshme. Ky atentat dihet se mund të përdoret nga Serbia për të arritur efekte të caktuara për destabilizimin e gjendjes në Kosovë, por edhe në përmasa të tjera, megjithëse motoja e vjetër e shërbimeve sekrete serbe “vrit, ik dhe fajëso të tjerët” tashmë është demoduar. Pak a shumë, edhe pakica serbe në Kosovë ka filluar të vetëdijesohet se Beogradi sa e sa herë i ka përdorur dhe viktimizuar ata për të arritur qëllimet e veta politike. Në këtë aspekt, është kuptimplotë dhe domethënës deklarimi i ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, nga radhët e pakicës serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq, i bërë për mediet serbe pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, “është e qartë se po kthehet koha e Ivan Stamboliqit”, gjë që nënkupton vrasjet politike të serbëve në mes vete”, ka shtuar ajo.

Ramosaj për Indeksonline ka thënë se në këtë ditë kur do të rifillonte dialogu Kosovë serbi në Bruksel, Beogradi zyrtar do ta përdor si mjet presioni ndaj palës shqiptare e ndërkombëtare për të arritur përfitime.

“Për vet faktin se kjo vrasje u krye në ditën e parë kur do të rifillonte dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel, dhe tërheqja nga bisedimet me pretekst të kësaj vrasjeje, duhet pasur parasysh se Beogradi zyrtar do të tenton ta përdorë për destabilizim dhe si mjet presioni ndaj palës shqiptare dhe ndërkombëtare, për të nxjerrë më shumë përfitime nga dialogu, duke bërë presion edhe për rikthimin zyrtar të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës dhe në viset e tjera të banuara me shumicë serbe. Edhe në vitin 2004, me vrasje filluan trazirat në Kosovë, vetëm se atëherë viktima ishin tre fëmijë shqiptarë”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe, Ivanoviq vdiq pasi u qëllua para zyrës së tij në Mitrovicës dhe pavarësisht nga ndërhyrja e mjekëve nuk arriti t’i rezistojë plagëve të marra.

SHPËRNDAJE