Ditë më parë më medie u raportua se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni Ali Ahmeti kanë biseduar në Tiranë për ndarjen e Kosovës, përkatësisht për vizatimin e kufijve në Ballkan.

Por vetë Thaçi gjatë takimit që ka zhvilluar të hënën me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, e ka cilësuar si shqetësues dhe të dëmshëm debatin rreth idesë për ndarjen e Kosovës.

Përfaqësuesit e opozitës në vend vlerësojnë se me Serbinë as që duhet të diskutohen temat e tilla dhe se me këtë të fundit duhet të diskutohet vetëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në anën tjetër deputeti i Parlamentit të Serbisë, Millovan Drecun, ka deklaruar se “Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është duke u përpjekur që ‘nën tavolinë’ të ofrojë bisedime për mundësinë e shkëmbimeve të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ndërkaq, analistë të çështjeve politike në vend po konsiderojnë se debati për shkëmbim të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë bëhet nga ata që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe se po luhet një “lojë me zjarr”, e cila mund të shkaktojë trazira.

Lojërat me kufij në Ballkan, të rrezikshme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në një intervistë për “DW”-në kishte thënë se deklaratat për ndarje territoriale të politikanëve serbë nuk janë serioze dhe lojëra të tilla janë të rrezikshme.

SHPËRNDAJE