Shteti kosovar po bëhet gati që të votojë në Kuvend më 14 dhjetor tri ligjet që shndërrojnë FSK-në në ushtri, por ky proces ka hasur në një kundërshtim të madh.

Ka qenë vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenber, i cili ka kërcënuar Kosovën me pasoja nëse vendosin ta bëjnë ushtrinë në këtë kohë, shkruan JOQ Kosova.

Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, tani nuk është koha që Kosova ta krijojë ushtrinë, duke potencuar se kjo gjë iu është thënë krerëve të shtetit nga zyrtarët e NATO-s.

“Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s. Dhe, mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, ka thënë Stoltenberg.

Ndërkohë, nga krerët e shtetit kosovar nuk është komentuar asgjë, mirëpo për këtë i është lënë në dorë Ministrisë së FSK-së. Ata kanë thënë se ky proces nuk e rrezikon Kosovën.

“Formimi i ushtrisë nuk ndikon asgjë keq për Kosovën. Do të jetë vendim i organeve më të larta të shtetit të Kosovës dhe është e drejtë e shtetit të Kosovës me marr vendime që ajo mendon se janë të drejta dhe të nevojshme në një kohë të caktuar”, ka thënë për media zëdhënësi Ibrahim Shala.

Ndryshe, Kuvendi kaloi muajin e kaluar në lexim të parë tri projektligjet që lidhet me ndryshimin e mandatit të FSK-së, ndërkohë që para dy ditësh u caktua që seanca e radhës të mbahet më 14 dhjetor.

SHPËRNDAJE