Kosova është përforcuar akoma

Bëhet fjala për Shkëlqim Demhasaj dhe Mirlind Kryeziu të cilët u bënë me pasaporta kosovare.

Para pak minutash në konsullatën e Kosovës në Zurich, Shkëlqim Demhasaj dhe Mirlind Kryeziu janë pajisur me pasaportat e Kosovës.

Si Demhasaj ashtu edhe Kryeziu kanë luajtur deri më tani për Përfaqësuesen e Zvicrës U21.

Dyshja ishte në pritje të pasaportave të Kosovës dhe kjo bëri që mos të grumbullohen për ndeshjet e muajit tetor ndaj Maltes dhe Ishujve Faroe.

Por tani pasi janë pajisur me pasaporta, si Demhasaj ashtu edhe Kryeziu pritet të jenë të grumbulluar në ndeshjet vendimtare të Kosovës ndaj Maltës dhe Azerbajxhanit.

Në një prononcim ekskluziv për Telegrafin, super sulmuesi i talentuar, Shkëlqim Demhasaj ka konfirmuar marrjen e pasaportës.

“Jam shumë i lumtur që pak qaste më parë kam marrë pasaportën e Kosovës”.

“Tani jam i gatshëm dhe në dispozicion për trajnerin Bernanrd Challandes në ndeshjet e nëntorit”.

“Do të mundohem të jap më të mirën nga vetja për të shënuar shumë gola për Kosovën dhe për t’i bërë ëndrrat realitet të njerëzve tanë”, tha Demhasaj.

Sulmuesi shtatlartë deklaroi se ishte një vendim së bashku me familjen dhe agjentët e tij për të ardhur te Kosova.

“Kam marrë vendimin e duhur për të luajtur me Kosovën.

Ka qenë një vendim i marrë së bashku me familjen dhe agjentët e mijë.

Mezi po pres ta vesh fanellën më të bukur në botë, atë të Kosovës”, tha për Telegrafin Demhasaj.

22-vjeçari e ka nisur mirë këtë edicion me Luzernin, ku në 12 ndeshje ka shënuar gjashtë gola dhe ka bërë tre asistime.

Ndërkohë Mirlind Kryeziu që edicionin e kaluar fitoi Kupën e Zvicrës me Zurichun, ka luajtur shtatë ndeshje në Superligë dhe llogaritet si njëri nga mbrojtësi më të talentuar në shtetin helvetik.

SHPËRNDAJE