Lindja e fëmijës është ngjarja të cilën jeni duke e ëndërruar me muaj.

Mund të keni emocione të përziera, për disa momente jeni e lumtur dhe fluturoni prej gëzimit që do të bëheni nënë dhe më pas mund të keni frikë e ankth për lindjen si një përvojë e re në jetën tuaj.

Cilat janë shenjat e lindjes? Çfarë ndodhë përpara se të fillojnë dhimbjet e lindjes?

Sa kohë zgjatë lindja?

Por, pyetja më e shpeshtë është “si mund ta di se erdhi momenti kur duhet të shkoj në spital?”.

Ass. dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër

Për secilën grua lindja është ndryshe nga një grua tjetër, prandaj nuk është aq e lehtë që të jepet përgjigje e saktë në të gjitha pyetjet e mësipërme.

Disa ditë ose javë përpara se të fillojnë dhimbjet e lindjes ju mund të keni:

• Dhimbje të vazhdueshme të shpinës dhe të barkut që krahasohen me dhimbjen e menstruacioneve.

• Dhimbjet janë të rregullta dhe me kalimin e kohës bëhen më të forta dhe intervali midis tyre shkurtohet.

• Plasja e membranave amniale.

• Nga vagina rrjedh një sekret me ngjyrë kafe ose rozë. Kjo është e ashtuquajtura tapa mukoide. Kjo është një shenjë se në ditët në vijim pritet të fillojnë dhimbjet e lindjes.

• Mund të ndjeheni e shqetësuar dhe keni çrregullim të gjumit.

Shumë nga këto shenja mund edhe të mos shfaqen varësisht se a është lindja e parë apo ju keni lindur më parë, pastaj varet se si ju e përjetoni dhimbjen (pra sa e duroni dhimbjen) dhe se sa jeni e përgatitur për lindjen.

Tashmë është dashur ta keni gati planin e lindjes dhe është dashur të diskutoni me mjekun tuaj lidhur me shenjat e lindjes. Pra, pak a shumë duhet ta keni të qartë se çfarë pritet të ndodhë, por nëse nuk jeni e sigurt dhe keni nevojë për këshillë kontaktoni mjekun tuaj.

Varësisht nga shpeshtësia dhe nga forca e kontraksioneve mjeku mund t’ju rekomandojë që të shkoni në spital apo të prisni edhe pak.

Ju duhet patjetër të kontaktoni me mjekun nëse:

• Plasin membranat amniale (pra nëse del uji i bebes)

• Nëse ju duket se bebja lëviz më pak se më parë

• Nëse keni gjakrrjedhje nga mitra; duhet ta bëni dallimin midis gjakrrjedhjes dhe tapës mukoide. Tapa mukoide duket si jargë me ngjyrë kafe ose rozë dhe ndodhë normalisht përpara çdo lindjeje.

• Nëse keni kokëdhimbje, nëse keni çrregullim të të pamurit që shoqërohet me dhimbje barku.

Përpiquni që të jeni e qetë, sepse në këtë mënyrë i ndihmoni trupit tuaj që të lirojë hormonin i cili quhet oksitocinë.

Oksitocina mundëson që lindja të përparojë. Nëse mjeku mendon se akoma është herët për të shkuar në spital, vazhdoni me aktivitetet e përditshme: dilni jashtë dhe ecni, merruni me punët e shtëpisë, vazhdoni të dilni me shoqërinë tuaj të preferuar. Ju ndihmon nëse bëni dush me ujë të nxehtë dhe që dikush t’ju bëjë masazh.

Në këtë periudhë (pra akoma pa filluar tkurrjet e rregullta të mitrës) mund të keni uri, prandaj rekomandohet që të hani dhe të pini aq sa keni nevojë.

Shenjat se lindja mund të ndodhë shpejt janë:

• Zbritja (rënia) e barkut. Ju e vëreni se barku juaj ka rënë më poshtë dhe se mund të merrni frymë më lirshëm se më parë.

• Del tapa mukoide, pra rrjedhë një sasi sekreti me ngjyrë kafe ose rozë.

• Dhimbjet bëhen më të shpeshta dhe më të forta. Ju ka disa muaj që ndjeni dhimbje të kohëpaskoshme dhe të çrregullta (këto janë kontraksionet Braxton Hicks), por tash këto dhimbje bëhen më të shpeshta.

• Keni luhatje të disponimit. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE