Kjo veturë super e shpejtë prodhohet në vetëm 13 njësi në njërën nga fabrikat më të avancuara në Itali.

Manjati i pasurive të paluajtshme i cili thotë se nuk mund ta vozit veturën që e kishte blerë në vlerë prej 3.4 milionë funte, ka paditur tregtarin londinez që i ka shitur veturën sportive super të shpejtë për shkak të dokumenteve që i ka dhënë, shkruan Mirror.

Multimilioneri turk Tufan Kalman, pretendon së gjatë muajit shkurt të vitit të kaluar kishte paguar një shumë të majme për veturën italiane Pagani Zonda 760 Coupe.

Por, ai tani kërkon t’i kthehen paratë, pasi që këtë veturë nuk po mund ta vozis në Zvicër ku edhe jeton dhe vepron.

Veturat sportive që arrijnë shpejtësinë maksimale prej 350 kilometra në orë, janë të preferuarat e personave që i kanë xhepat e thellë dhe nuk përtojnë të shpenzojnë miliona dollarë për të kënaqur apetitet e tyre.

Gjatë vitit të kaluar ylli i Formula 1, Lewis Hamilton është parë duke pozuar karshi një modeli të ngjashëm që ai e ka në pronësi.

Ndërkaq, Kalman i është drejtuar gjykatës lidhur me kompaninë “Pagani UK Ltd” në Park Royal në pjesën veriperëndimore të Londrës, nga të cilët kërkon t’ia kthejnë paratë.

Në letrën e dorëzuar në gjykatën e Londrës, Kalman i cili jeton në Dornach të Zvicrës, ku edhe udhëheq një kompani të patundshmërive, thuhet se ai i kishte paguar 3.8 milionë funte (apo rreth 3.4 milionë funte) tregtarit për veturën që e kishte blerë më 6 shkurt të vitit të kaluar, ndërsa për t’ia dërguar në shtëpi kompanisë i  është dashur 6 muaj.

Tani ai pretendon se veturën super të shtrenjtë “nuk po mund ta përdor”, për shkak se tregtari anglez nuk i ka dhënë dokumentet e regjistrimit në Angli.

“Pa dokumentet origjinale të regjistrimit nga Anglia, Kalman nuk mund ta regjistroj veturën në Zvicër. Thjesht nuk mund ta përdor”, thuhet në shkresën e dorëzuar në gjykatë.

“Deri më sot Pagani UK Ltd nuk i ka dërguar dokumentet e regjistrimit, e as nuk e ka rimbursuar çmimin e blerjes”, thuhej ndër tjera në dokument.

Dhe pasi që nuk mund ta përdor veturën, Kalman kërkon prishjen e kontratës dhe kthimin e parave të shpenzuara për këtë veturë super të shtrenjtë.

SHPËRNDAJE